Në Itali janë të bindur, Sarri te Juventusi merr edhe Hysajn

Shtohen gjithnjë e më shumë zërat për Mauricio Sarrin si pasardhësi i Masimiliano Alegrit në stolin e Juventusit, mediat italiane janë të bindura se mes palëve ka pasur kontakte të shumta në këto kohë dhe se do negociohet zyrtarisht sapo tekniku të largohet nga drejtimi i Çelsit pas mbylljes së sezonit. Një lëvizje që në mënyrë të çuditshme do t’i jepte një mundësi të artë në karrierë edhe Elseid Hysajt.

Mbrojtësi i përfaqësuese shqiptare nuk është më i preferuar nga trajneri Ançeloti te Napoli dhe është në listën e atyre që do të transferohen në verë nga Napoli drejt një destinacioni tjetër. Por e përditshmja napolitane “Il Mattino” argumenton se emri i tij është pjesë e diskutimeve mes ish-trajnerit dhe Juventusit. Sarri kërkon të ketë në skuadër të besuarit e tij dhe Hysaj është një prej tyre. Bashkë me mbrojtësin, ai kërkon edhe Lorenco Insinjen, për t’i shtuar fantazi lojës së Juventusit.

Transferimi i Hysajt sigurisht që do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm për karrierën e futbollistit shqiptar, pasi bëhet fjalë për një skuadër e cila ka si synim kryesor fitoren e Ligës së Kampioneve, pasi në futbollin italian prej disa vitesh ka vënë diktatin e saj. Ndryshe nga sa ndodhi në vitin e kaluar me Çelsin, presidenti i Napolit nuk do t’i kundërvihej transferimit të Hysajt, edhe pse bëhet fjalë për një rival direkt në kampionat. /vipsport.al/