Në Itali e bëjnë të kryer, e ardhmja e Hysajt varet vetëm nga… Çelsi

E ardhmja e mbrojtësit të Kombëtares, Elseid Hysaj mbetet në një dyshim të madh për vetë faktin se në skenë janë emrat e shumë skuadrave por asnjëra nuk duket se po tenton të firmosë me mbrojtësin shkodran. Interi, Juventusi e Roma në Itali dhe shumë skuadra të tjera jashtë Italisë kanë shfaqur interes për Hysajn por e ardhmja e tij duket se varet nga Çelsi.

Mediat italiane raportojnë se nëse Çelsi mundet në Ligën e Europës, atëherë do të largohet edhe Sarri dhe do të kërkojë që të rikthehet në Itali për një aventurë të re. Juventusi dhe Roma janë të interesuara për shërbimet e Sarrit, por duket se Roma do të jetë destinacioni i ri pasi Juvja e sheh vetëm si një alternativë, por jo favorit.

Me kalimin e Sarrit te Roma, me shumë gjasa edhe Hysaj do të largohet në drejtim të kryeqytetit për t’u ribashkuar me ish-trajnerin e tij te Empoli dhe te Napoli. Mediat italiane raportojnë se Hysaj mund të transferohet edhe te Juventusi, nëse këta të fundit vendosin t’i besojnë stolin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/