“Mirënjohës sa të kemi jetën”, falënderimi i veçantë i drejtuesit të Kastriotit për lojtarët

Kastrioti nuk ia ka dalë në misionin e tij për të mbijetuar në Kategorinë Superiore, duke u kthyer përsëri në të parën pas vetëm një sezoni qëndrim në elitë. Por skuadra krutane do të kujtohet gjatë pasi bëri që lufta në Superiore të mbetej e hapur deri në fund, duke regjistruar fitore e rezultate mbresëlënëse që e bënë thuajse realitet misionin e tyre.

Humbja 3-1 me Kukësin sot i vuri kapakun rënies, por gjithsesi nga klubi krutan kishte vetëm falënderime për lojtarët dhe stafin teknik për atë që kishin shprehur në fushën e lojës në vitin 2019. Administratori i klubit, Gazmend Vogli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale i falënderoi të gjithë për atë që kishin bërë në këtë vit që vështirë se do të harrohej edhe pse u mbyll më rënien në Kategorinë e Parë.

MESAZHI I VOGLIT

“Faleminderit me qindra herë për ju çuna bashkë me profesor Devollin dhe gjithë stafin teknik të KS Kastriotit.

Faleminderit që sakrifikuat kaq shumë.

Faleminderit që çdo ndeshje dhatë përtej mundësive tuaja.

Kokën lart ta mbani.

Krenar për ju që djersitët gjak për këtë fanellë e këtë objektiv.

Ju jemi mirënjohës sa t’kemi jetën. /vipsport.al/