Milani i ri/ De Zerbi për stolin, Taren e “eklipson” zbuluesi i Mbape për drejtor sportiv

Ivan Gazidis po rindërton Milanin dhe nuk mungojnë emrat surprizë në këtë moment, si për sa i takon trajnerit, ashtu edhe drejtorit sportiv. Sipas asaj që bën me dije “Sportmediaset”, për stolin po fiton kuota kandidatura e Roberto De Zerbit, trajnerit të Sasuolos, i cili ka impresionuar këtë sezon me lojën sulmuese që zhvillon skuadra e tij.

Për këtë arsye, De Zerbi shihet si njeriu i duhur për t’u ulur në stolin e Milanit, duke zënë vendin e Gatuzos, edhe pse ky i fundit shpreson ende se do të vazhdojë ta drejtojë skuadrën edhe sezonin e ardhshëm.

Për rolin e drejtorit sportiv, Gazidis ka zgjedhur Luis Kampos, portugezin e Lilës, i cili njihet për zbulimin e shumë lojtarëve të talentuar, mes tyre edhe të Kilian Mbape. Pista e Igli Tares po zbehet. Ai ka marrë besimin e presidentit Lotito te Lacio, ndërkohë që edhe drejtuesit e Milanit në këtë moment joshen më shumë nga Luis Kampos i Lilës. / Vipsport.al