Mesi: Eliminimi nga Liverpul ishte goditje e rëndë, Valverde ka vetëm një pjesë të fajit

Eliminimi përballë Liverpulit do të mbetet për një kohë të gjatë në mendjen e futbollistëve të Barcelonës të cilët ishin të bindur se këtë vit do të bënin të tyren Ligën e Kampioneve. Kjo dallohet qartë nga fjalët e Lionel Mesit, i cili ka folur për herë të parë që nga eliminimi përballë anglezëve në atë natë në “Anfilld”.

“Ishte një goditje shumë e rëndë dhe na u desh shumë kohë që të ngriheshim përsëri në këmbë. Kjo shihej në ndeshjet e radhës që luajtëm. Ishte e rëndë por nesër kemi një finale dhe kemi mundësinë të fitojmë trofe të dytë. Tani mbetet të mbyllim këtë vit duke kërkuar një tjetër trofe”, tha Mesi para finales së Kupës së Mbretit ndaj Valencias.

Por kush e kishte fajin në atë eliminim? Mesi ia kalon atë të gjithëve që nuk reaguan, ndërsa insiston se Valverde ishte pjesërisht fajtor, por duhet të vazhdojë punën e tij me katalanasit.

“Kam lexuar diçka për kritikat rreth trajnerit por mendoj se Valverde ka bërë një punë mbresëlënëse. Në eliminimin ndaj Liverpul praktikisht nuk kishte aspak faj. E dinim që mund të ndodhte përsëri ajo e Romës dhe të vjen keq që ndodhi. Trajneri ka një pjesë të fajit, por jo i gjithë faji është i tiji. Do të dëshiroja që të qëndronte. Vitin e kaluar fituam dy trofe, shpresojmë që të fitojmë edhe këtë vit dy me njollën e Champions që këtë vit është me madhe”, tha Mesi. /vipsport.al/