Mesfushori i Sitit “driblon” titullin: Nuk ka rëndësi më të madhe, po më realizohet ëndrra e Kupës

Mançester Siti arriti të mbyllte me sukses kampionatin anglez duke i fituar titullin me 1 pikë më shumë se Liverpuli. Sakaq, ‘qytetarët’ kanë mundësinë që të fitojnë edhe trofeun e dytë sezonal dhe do të luajnë në “FA Cup” përballë Uatfordit për të mbyllur me sukses këtë sezon.

Një nga yjet e së ardhmes te Mançester Siti është talenti ukrainas Oleksandër Zinçenko i cili këtë sezon ka pasur shumë minuta megjithatë shpreson të japë kontributin e tij edhe në “FA Cup”. 22-vjeçari në një prononcim për mediat angleze u shpreh se gjithmonë ka ëndërruar të luajë dhe të fitojë “FA Cup” duke i dhënë të njëjtën rëndësi si titullit kampion.

“Kur isha i vogël, Kupa kishte të njëjtën rëndësi për mua ashtu si edhe Premier Liga. Nuk e di se çfarë mendojnë futbollistët e tjerë, por për mua kështu ishte. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në nivele të larta dhe kurrë nuk ma ka marrë mendja se do të jem këtu dhe duke u bërë gati për të luajtur në finalen e ‘FA Cup’. Është një ëndërr”, tha Zinçenko. /Erjon Allaraj-VipSport.al/