Mema me ‘dhimbje koke’ para Laçit, dëmtimet ‘përgjysmojnë’ Tiranën

Skuadra e Tiranës do të ketë ditën e diel një ndeshje vendimtare për fatet e sezonit, ndërsa do të udhëtojë në transfertë ku do të luajë përballë ekipit të Laçit. Një humbje do t’i jepte një goditje të rëndë bardhebluve në garën e mbijetesës pasi më pas shpëtimi i sezonit nuk do të varej nga këmbët e tyre. Sakaq, në këtë sfidë të rëndësishme, kryeqytetasit kanë probleme serioze me të dëmtimet e shumta që kanë prekur ekipin.

Në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit, mesfushori Asion Daja pati një problem teksa edhe pse u angazhua nga stoli në lojë sërish nuk arriti ta mbyllte takimin. Daja është në dyshim edhe për Laçin, ndërsa nga ana tjetër edhe Kërçiku ka shfaqur probleme. Mbrojtësi mungonte prej kohësh dhe u kthye në ndeshjen ndaj Kastriotit, megjithatë ende nuk është në maksimum.

Ndërkaq, këtu shtohet edhe mungesa e kapitenit Erando Karabeci, i cili ka mbyllur sezonin. Trajneri Mema shpreson që deri në ditën e ndeshjes të rikuperojë ndonjë nga të dëmtuarit, pasi momenti është i vështirë dhe për të marrë rezultat pozitiv do të jetë e nevojshme ndihma e të gjithëve.

/EgiCabeli-VipSport.al/