Mbrojtësi i PSG refuzon rinovimin, shpreson të ribashkohet me Guardiolën

Dani Alvesh ka refuzuar rinovimin me skuadrën e PSG. Braziliani aktivizohet prej dy viteve me parisienët, mirëpo duket se mbrojtësi nuk është i bindur nga projekti i klubit për të triumfuar në Champions League, pasi vetëm suksesi në kampionat nuk mjafton.

Për këtë arsye, Alvesh po mendon një tjetër alternativë dhe pas eksperiencës në Spanjë dhe Itali, kërkon një aventurë në Premier League. Edhe pse mosha 36-vjeçare nuk është në favorin e tij, sërish në drejtim të Alvesh janë të interesuar klube të mëdha si Çelsi, Mançester Junajtid apo Mançester Siti. Pikërisht, këta të fundit duken më të kuotuarit nëse futbollisti vendos të transferohet në Angli.

Arsyeja është Pep Guardiola. Një trajner me të cilin Alvesh ka kujtime të lumtura teksa kanë kaluar sëbashku një periudhë të suksesshme te Barcelona, dhe marrëdhënia e brazilianit me teknikun spanjoll mbetet po aq sa speciale në kohët e Barcelonës. Projekti i Sitit është të triumfojë në Evropë dhe në këtë drejtim Alvesh mund të vejë në shërbim të gjithë eksperiencën e tij të pasur, teksa do të pritej krahëhapur nga Guardiola.

/EgiCabeli-VipSport.al/