Mbrojtësi humbet ndeshjen e fundit shtëpiake, mungon në sfidën e Juventus ndaj Atalantës

Ka qenë një sezon i karakterizuar nga dëmtimet e shpeshta ky për kapitenin e Juventusit, Xhorxho Kielini. Mbrojtësi mungoi edhe në ndeshjen e rëndësishme të Champions League ndaj Ajaksit dhe bardhezinjtë përfunduan të eliminuar. Rëndësia e Kielinit është e padiskutueshme, mirëpo mosha 34-vjeçare nuk është në anën e Kielinit dhe as të Juventusit.

Kielini është dëmtuar sërish, këtë herë në stërvitjen e përgatitjeve para Atalantës, e cila do të jetë edhe ndeshja e fundit shtëpiake e Zonjës së Vjetër. Ndërkaq, italiani mund të ketë mbyllur edhe sezonin teksa kanë mbetur vetëm dy ndeshje deri në fund dhe nuk ka arsye për të nxituar rikuperimin. Forma e Kielinit dhe problemet e shpeshta fizike justifikojnë edhe këmbënguljen e drejtuesve të klubit për të afruar medoemos një mbrojtës në merkaton e verës.

Alternativat nuk kanë ndryshuar, ëndrra De Ligt e më pas Varan apo Manolas. Sakaq, Kielini i do të mbetet i rëndësishëm sërish duke qenë se është kapiteni, por tashmë është e qartë se mbrojtësi nuk ofron më të njëjtën garanci fizike si të disa viteve më parë.

/EgiCabeli-VipSport.al/