Markizio këshillon Juventusin: Merrni trajnerin finalist të Champions dhe riktheni Pogba

Klaudio Markizio nuk e harron ish-ekipin e tij teksa së fundmi në një intervistë për “Tuttosport”, mesfushori shprehet se ende i ndjek të gjitha ndeshjet e Juventusit. 33-vjeçari është rritur në klubin bardhezi ndërsa këtë vit rrugët u ndanë, me Markizion që tashmë është pjesë e Zenitit në Rusi. Megjithatë, në intervistë mesfushori nuk harron të japë disa këshilla për Juventusin, teksa shprehet se dëshiron një rikthim të Pogba në Torino, ndërsa sa i përket trajnerit për Markizion i preferuari është Jurgen Klop, edhe pse duket e vështirë në mos e pamundur për të mbërritur te gjermani.

“Nëse do të largohej Alegri, do të zgjidhja një që besoj se është e vështirë për ta pasur: Jurgen Klop. Më pëlqen shumë futbolli që aplikon dhe mënyra si interpreton futbollin. Një si ai do t’i bënte shumë mirë futbollit italian. Por, nuk shikoj asgjë të keqe nëse qëndron Alegri, sepse është një trajner që fiton. Nëse do të thoja për një blerje që e ëndërroj si tifoz, atëherë më ka impresionuar shumë De Jong por ai tashmë është i Barcelonës. Do të mëplqente të shikoja në Itali, De Brujnen apo Hazard por më duket e vështirë.

Atëherë do të zgjidhja Pogba, një kthim i tij do të ishte i mrekullueshëm, edhe për faktin se Juventusit i duhet një mesfushor që ndihmon më shumë në fazën ofensive. Dhe mbi të gjitha nuk e kam kuptuar se pse u largua drejt Mançesterit. Ndoshta prej parave, e kuptoj por nëse do të ishte për një evoluim në karrierë atëherë do të kisha zgjedhur Spanjën”, tha Markizio.

/EgiCabeli-VipSport.al/