Mançester Junajtid ‘hap’ thesin, anglezët pas talentit të Dortmund

Sezoni i Mançester Junajtid ka qenë plot ulje e ngritje teksa pas shkarkimit të Hoze Murinjos dhe më pas emërimit në krye të klubit të Solskjaer, u duk sikur gjërat ndryshua për mirë. Por, pas ‘muajit të mjaltit’ me teknikun norvegjez ku skuadra pati një periudhë të mbushur me rezultate pozitive, sërish në horizont u dukën retë e zeza.

Tashmë, ‘Djajtë e Kuq’ rrezikojnë të mos kualifikohen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërkohë që atmosfera në klub është e rënduar për shkak të pakënaqësisë së disa lojtarëve. Në këtë formë pritet që këtë verë të ketë një revulocion në organikën e futbollistëve teksa pranë largimit janë Marsial, Sançez, Pogba apo edhe portieri David De Gea. Dhe para kësaj situate drejtuesit kanë nisur të mendojnë për lojtarët që do të afrohen në merkato. Një nga emrat që Junajtid i intereson më shumë është dhe talenti i Borusia Dortmund, Xhejdon Sanço. Sulmuesi ka shkëlqyer në këtë sezon të Bundesligës, ndërsa përveç golave ka dhurua asiste me shumicë, duke u renditur mes asistuesve më të mirë të Europës.

Kështu, nisur nga largimet anglezët nuk do të kenë probleme për të bërë ofertën e duhur financiare në drejtim të Dortmundit teksa po përgatitet një shumë prej 100 milionë paund për të bindur gjermanët. Mbetet vetëm të kontaktohet dhe të njihen me dëshirën e vetë lojtarit nëse Sanço preferon të luajë në ‘Old Trafford’ me fanellën e Junajtid.

/Egi Çabeli-VipSport.al/