Manaj kthehet përsëri vendimtar, por në Spanjë shqetësohen nga zërat për largim

Rei Manaj është kthyer përsëri vendimtar me skuadrën e Albacetes në Spanjë, duke shënuar në fundjavën e kaluar për t’i siguruar ekipit të tij tre pikë shumë të vlefshme në luftën për ngjitjen në La Liga në sezonin e ardhshëm. Sipas mediave spanjolle, ai është ndër futbollistët më rezultativë të skuadrës, edhe pse nuk ka statusin e titullarit të paprekshëm në ekip

Manaj kishte dy muaj pa luajtur si titullar, por tregoi menjëherë që është në formë, duke shënuar që në minutën e 5-të të ndeshjes për skuadrën e tij që fitoi me shifrat 3-2. Me pak më shumë se 1000 minuta lojë në këtë sezon, mesatarja e golave për Manajn është 1 çdo 169 minuta në fushë dhe sipas mediave spanjolle, kjo mund të rezultojë vendimtare për klubin pasi nuk ka asnjë tjetër kaq efikas para porte.

Ai ka qenë titullar në 13 ndeshje e zëvendësues në 12 të tjera, ndërsa rezulton të jetë futbollisti i 16 i skuadrës sa u përket minutave në fushë. Sipas të njëjtave burme, kjo ka bërë që të rikthehen zërat për largimin e tij nga Albacete, pasi lojtari ka deklaruar vazhdimisht se kërkon një skuadër që beson të ai rregullisht, jo vetëm në raste krize apo kur të tjerët janë jashtë forme, sidomos nëse Albacete ngjitet në La Liga. /vipsport.al/