Manaj i frikësohet Bares dhe zbulon të ardhmen: Kam firmosur për 5 vite

Rei Manaj mendon se Albacete vazhdon të jetë në garë për ngjitjen në La Liga, edhe pse tashmë nëpërmjet play-off dhe jo me ngjitjen direkte pas humbjes që pësoi ndaj Granadës në javën e fundit. Ai insiston se ekipi ka cilësi, por duhet të ketë kujdes në këtë fazë pasi përballë ka ekipe shumë të forta mes të cilave një që njeh shumë mirë, atë të mikut të tij, Keidi Bare.

“Na mbeten edhe tre ndeshje deri në mbyllje të sezonit të rregullt, duam t’i fitojmë të treja që të sigurojmë play-off. Duam që të mbajmë vendin e tretë, edhe pse Granada është 6 pikë larg, por jemi realistë. E dinim që në fillim të sezonit që ky ekip ka cilësi për të luftuar për play-off, kemi bërë gjërat mirë, por tani duhet të bëjmë hapin cilësor për të shkuar në La Liga.

Unë kam luajtur në play-off në Itali dhe mendoj gjithmonë se ekipi që renditet në vendin e 6 është ai që është më i freskët. Unë shoh si ekip shumë të rrezikshëm Malagan, mendoj se mund të mposhtë këdo në një eliminatore, nuk mendoj të njëjtën gjë për Majorkën dhe Kadiz”, ishte vlerësimi i Manajt.

Ai ka hedhur poshtë zërat se ka pasur probleme me trajnerin apo rënie forme, por e ka cilësuar si normal qëndrimin e tij në pankinë. “Unë kam ruajtur gjithmonë të njëjtin nivel. Me trajnerin nuk kisha asnjë lloj problemi dhe kur nuk luajta, ekipi fitoi me goleadë dhe është normale që ai të ruajë një ekip fitues. Tani po luaj dhe dua të tregoj se mund të ndihmoj Albaceten drejt ngjitjes”, tha ai.

Ndërkohë, Manaj foli edhe për të ardhmen e tij, e vënë shpeshherë në diskutim. “E ardhmja ime është te Albacete. Kam firmosur një kontratë pesëvjeçare, edhe nëse nuk ngjitemi do të dëshiroja të vazhdoja këtu. Jam mirë, jam i qetë dhe nuk mendoj për të ardhmen, vetëm për skuadrën”, tha Manaj para gazetarëve. /vipsport.al/