“Magjistari i penalltive”, Selmani tregon sekretin e pritjeve nga pika e bardhë

Gentian Selmani vazhdon të mahnitë gjithmonë e më shumë me aftësitë që tregon në katërkëndor, ku është kthyer mbi të gjitha në një portier ekspert sa i përket penalltive. Shembulli më konkret ishte në ndeshjen ndaj Tiranës, ku ai neutralizoi dy goditje nga pika e bardhë të ekipit kundërshtar.

Në një prononcim për “SuperSport” ai tregoi edhe disa nga sekretet e aftësisë së tij të veçantë që e ka kthyer padyshim në një nga portierët më të spikatur të kampionatit dhe i ka siguruar ftesën në kombëtaren A.

“Starova tha që jam më i miri? Falënderoj profesorin për fjalët e mira. Unë mundohem të punoj sa më shumë dhe të qëndroj me këmbë në tokë. Penalltitë janë edhe fat, por edhe zotësia e portierit kur i pret. Shpresoj që të pres edhe në të ardhmen.

Sekreti? Unë mundohem t’i studioj lojtarët që përpara ndeshjes, gjë që e kisha bërë edhe sot me sulmin e Tiranës. E kisha studiuar mirë edhe Ngo, por ndonjëherë duhet edhe pak fat”, tha futbollisti. /vipsport.al/