Lulaj: Pa Europë e quajmë vit të dështuar, presim dhurata edhe nga kundërshtarët

Skënderbeu arriti të merrte një fitore të rëndësishme në javën e fundit përballë Kukësit, duke hedhur një tjetër hap drejt Kupave të Europës. Korçarët besojnë në një vendim pozitiv të KAS-it dhe të luajnë në Kupat e Europës edhe këtë sezon.

Në një prononcim për ‘RTSH Sport’, mesfushori i Skënderbeut, Bruno Lulaj u shpreh se do të ishte një sezon i dështuar nëse nuk arrihet kualifikimi në Kupat e Europës. Ai shtoi se pret edhe dhurata nga kundërshtarët që të kenë më shumë mundësi për t’u ngjitur në renditje.

“Morëm një fitore shumë të rëndësishme për Europën. E bëmë ndaj një kundërshtari me vlera. Të gjitha janë mësuar me një Skënderbe që lufton për tituj. Nëse nuk kapin Europën, atëherë do të jetë një dështim. Po shohim ekipin tonë dhe të marrim maksimumin ndaj Luftëtarit. Presim dhurata nga ekipe të tjera por jemi të fokusuar te skuadra jonë”, tha Lulaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/