Luftëtari, mbrojtësi Hoxha gati, por Ahmataj nuk ka 3 titullarë ndaj Kukësit

Luftëtari do të ketë mungesa titullarësh edhe në ndeshjen e kampionatit ndaj Kukësit, të cilën do ta zhvillojë ditën e diel në orën 16:00 në stadiumin “Gjirokastra”. Gjirokastritët, menjëherë pas ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku edhe u eliminuan nga Tirana kanë zbritur në stërvitje dhe mendojnë për takimin e radhës ndaj Kukësit në fushën e tyre.

Trajneri Ahmataj do të vazhdojë që të ketë mungesa, pasi Ramdani, Rapa e Ymeraj nuk do të jenë. Mund të rikthehet në takimin ndaj kuksianëve mbrojtësi shtatlartë, Rustem Hoxha.

Praktikisht, me tre mungesa titullarësh, trajneri Ahmataj duket se do t’i besojë 11-shes që hodhi në fushë ndaj bardhebluve në Kupën e Shqipërisë, duke qenë se ata lojtarë kanë luajtur së fundmi e si të thuash janë ambientuar me lojën e njëri-tjetrit.

E.S./Vipsport.al/