Lufta për Europën në Superiore / Katër skuadra për një vend, Teuta e penalizuar

Nëse dy vendet e para të tabelës së Superiore janë thuajse të përcaktuara, ajo që vazhdon të jetë mjaft e ethshme dhe do të zgjidhet vetëm në javën e fundit është lufta për një vend në Europë. Për momentin, askush nuk mund të thotë me siguri se cila skuadër do të mbyllë kampionatin në vendin e tretë që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Europës pasi janë katër ekipe me shanse thuajse të barabarta që luftojë për këtë pozicion.

Në katër javët e mbetura, Flamurtari, Teuta, Laçi dhe Skënderbeut do të kenë duele mjaft interesante dhe të paktën një ndeshje direkte me një rival.

Në teori, kalendarin më të vështirë në këto javë të mbetura e ka skuadra e Teutës, e cila aktualisht ndan vendin e tretë me pikë të barabarta me vlonjatët. Kjo për faktin se është e vetmja që në javët e mbetura nuk ka 3 pikë të sigurta me në kalendar për duelin e programuar me Kamzën, si dhe një nga 2 duelet direkt e ka në fushën kundërshtare.

Flamurtari ka një kalendar relativisht të favorshëm sa i përket ndeshjeve direkte, pasi e luan të vetmen që ka në fushën e vet, por përballet në këto javë me ekipe mbijetese ndaj nuk ka asgjë të sigurt.

Kalendari më i favorshëm duket ai i Skënderbeut, i cili ka dy ndeshje në fushën e vet, një sfidë me Kamzën e një tjetër ndaj Kukësit i cili në teori atëherë mund ta ketë mbyllur diskutimin për titullin. Në një duel kaq të ashpër, askush nuk pret që ndonjë nga këto skuadra të fitojë të katër ndeshjet e mbetura, ndaj javë pas jave mund të shohim ndryshime të vazhdueshme pozicionesh deri në fund. /vipsport.al/