VIDEO / Në fund feston Strakosha para Gjimshitit, Lacio fiton Kupën e Italisë

Thomas Strakosha ka ngritur lart Kupën e Italisë, duke e fituar këtë radhë si protagonist absolut këtë trofe të rëndësishëm për klubin italian. Portieri shqiptar ka dhuruar një tjetër paraqitje bindëse ndaj Atalantës, duke ruajtur të paprekur rrjetën në suksesin 2-0 përballë skuadrës së Berat Gjimshitit.

Strakosha kishte fituar këtë trofe si portier i tretë në vitin 2013, por këtë herë ishte në fushë dhe protagonist me pritjet e tij ndaj sulmit më të fortë të Serisë A në këtë edicion, pasi Atalanta iu afrua disa herë katërkëndorit të tij dhe arriti edhe të godiste shtyllën në pjesën e parë.

Por në fund lëvizjet e Inzagit rezultuan vendimtare. Ai mbajti në fushë Korrean e jo Imobilen, ndërsa aktivizoi Milinkoviç-Saviç vetëm në minutën e 79-të. Serbi ishte ai që i dha avantazhin Lacios me një goditje me kokë duke mposhtur në duel ajror Gjimshitin. Ndërsa në fund, Korrea me një kundërsulm perfekt shënoi golin e 2-0 që i dha Kupën e 7 në histori Lacios.

Atalanta-Lacio 0-2
82’ Milinkoviç-Saviç, 90′ Korrea

ATALANTA (3-4-2-1): Golini; Palomino, Gjimshiti, Mazielo; Hateboer, De Ron, Frojler, Kastanje; Iliçiç, Gomez; Zapata.
Trajner: Xh. Gasperini

LACIO (3-5-2): Strakosha; Luiz Felipe, Açerbi, Bastos; Marusiç, Parolo, Leiva, Luis Alberto, Luliç; Korrea, Imobile.
Trajner: S. Inzagi