Licencimet/ FSHF fshihet, në Maqedoninë e Veriut nuk kanë frikë të lënë pa Europë rekordmenët

Kategoria Superiore ka hyrë në dy javët e fundit të këtij sezoni dhe kur gjithçka ka nisur të qartësohet në lidhje me klasifikimin e përgjithshëm, FSHF ende nuk ka bërë asgjë publike në lidhje me Europën. Pak kohë më parë, skuadrat kanë dorëzuar dokumentet e tyre ku kanë kërkuar licencimin për të luajtur në Kupat e Europës dhe UEFA u ka dhënë përgjigje nëse luajnë apo jo, por kjo përgjigje mbahet e fshehtë nga FSHF-ja.

Ndryshe ndodh në Europë dhe pa shkuar më larg se te komshinjtë tonë, Maqedonia e Veriut. Sot është publikuar lista me ekipet të cilat kanë marrë licencën për të luajtur në Kupat e Europës dhe e çuditshmja lidhet me refuzimin qoi është bërë Vardarit. Ekipi rekord për tituj të fituar në Maqedoninë e Veriut nuk do të luajë në Europë, megjithëse e ka mbyllur kampionatin në vendin e dytë.

Përveç Vardarit, e ka pësuar edhe Pobeda e cila ashtu si edhe Vardari ka paga të pa paguara kundrejt futbollistëve duke mos marrë licencimin. Me këtë dënim të dhënë, përfiton Shkupi i vendit të pestë që tashmë e sheh veten në Ligën e Europës dhe duhet të mbajë këtë vend. /Erjon Allaraj-VipSport.al/