Leonardo në telashe te Milani, Gazidis udhëton i vetëm për negociatat me trajnerin e ri

Duket se Leonardo nuk do ta ketë të gjatë në rolin e tij si drejtor sportiv në klubin e Milanit, pasi kuqezinjtë e shohin menaxhimin e tij si jashtë standardeve të kërkuara për klubin i cili rrezikon të mbetet përsëri jashtë Ligës së Kampioneve.

Kjo kuptohet më qarte nga udhëtimi që administratori Ivan Gazidis do të bëjë drejt Londrës. Sipas “Sportmediaset”, ky udhëtim është shumë i rëndësishëm pasi do të diskutohet me kandidatin kryesor për pankinën e kuqezinjve pas largimit të Gatuzos, Mauricio Sarrin. Trajneri aktual i Çelsit është një nga emrat më të kërkuar në Itali dhe për të mundur konkurrencën, Gazidis nuk ka pritur fundin e sezonit, por është nisur për ta takuar atë drejtpërdrejt.

Qëndrimi i Leonardos në Itali bën të qartë se braziliani sheh gjithnjë e më pak të mundshëm vazhdimësinë në detyrën që i kanë caktuar, pasi nuk do të jetë i pranishëm as në diskutimet teknike me kandidatin më të mundshëm, përtej detajeve ekonomike të kontratës që i ofrohet. Gazidis pritet t’i ofrojë Sarrit një kontratë trevjeçare me rrogë prej 3 milionë eurosh në vit, por me rritje graduale dhe me bonuse të shumta. /vipsport.al/