Lamtumirë Skënderbe! Mesfushori titullar nuk pret fundin e sezonit për largimin

Ndeshja ndaj Luftëtarit e kësaj fundjave ka qenë e fundit e këtij sezoni në fushë për futbollistët e Skënderbeut, pasi në javën e fundit kalendari i vë përballë Kamzës së përjashtuar. Ndaj te klubi korçar kanë filluar që tani lamtumirat e atyre që nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit në vijim, sido që të shkojnë gjërat me KAS të Lozanës.

Vip Sport ka mësuar se futbollisti i parë që i ka dhënë lamtumirën klubit dhe këto ditë do të largohet nga Shqipëria është mesfushori Kuasi Sibo. Futbollisti nuk do të vazhdojë bashkëpunimin e tij me klubin korçar dhe do të kthehet përsëri drejt Anglisë ku ai është pjesë e klubit të Uotford dhe ka një kontratë me anglezët.

21-vjeçari iu bashkua korçarëve në janar dhe luajti me ta 12 ndeshje në këtë periudhë në kampionat, duke u bërë pjesë e formacionit baze nën drejtimin e Shehit. Përtej vlerësimeve të ndërsjella mes palëve, Skënderbeu nuk mund të blejë kartonin e futbollistit në fjalë, ndërsa pasiguria për pjesëmarrjen në Kupat e Europës ka bërë që mes palëve të ketë shtrëngim duarsh dhe lamtumirë duke e cilësuar të mbyllur marrëveshjen. /vipsport.al/