Lajthitja në finalen e Kupës i kushton 3 ndeshje pezullim Mbape, Nejmar rrezikon më shumë

Kilian Mbape nuk është aspak një lojtar agresiv dhe problematik, por një veprim i nxituar i tij në ndeshjen finale të Kupës së Francës ndaj Renes, i ka kushtuar shtrenjte.

Sulmuesi i PSG-së është dënuar me tri ndeshje pezullim për një faull të rëndë ndaj kundërshtarit, i painteresuar për topin dhe me takat direkt në këmbën mbështetëse, çka i kushtoi daljen me karton të kuq direkt. Një ndërhyrje shumë e ashpër në një ndeshje, ku gjithçka shkoi keq për PSG-në, që në fund humbi Kupën pas gjuajtjes së penalltive.

Komisionet përkatëse të Federatës së Francës kanë hapur edhe një hetim për grushtin e brazilianit Nejmar ndaj një tifozi në momentin e ceremonisë së medaljeve. Vendimi për Nejmarin do të merret gjatë javës së ardhshme, por është mësuar se ai rrezikon një dënim që shkon deri në tetë javë. / Vipsport.al