Plas në Gjirokastër, pezullohen trajneri Ahmataj dhe dy titullarë

Humbja me Tiranën në Kupën e Shqipërisë i ka kushtuar shtrenjtë Luftëtarit. Klubi ka vendosur që të marrë masa për paraqitjen e bërë në ndeshjen ndaj Tiranës në Kupë, ku u mundën me rezultatin 5-3, duke ia faturuar humbjen trajnerit Julian Ahmataj dhe dy futbollistëve titullarë, Albano Aleksi dhe Xhekon Ferrerira.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi gjirokastrit që nëpërmjet një komunikate për shtyp, njofton se janë pezulluar me nga dy javë sportistët e lartpërmendur. Sakaq, nuk do të ketë gjoba për të pezulluarit.

Deklarata për shtyp:

“Klubi i futbollit Luftëtari, pasi ka ndjekur me shqetësim ecurinë e skuadrës dhe sidomos humbjen e thellë në takimin përballe Tiranës, çka solli edhe eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, stafi drejtues i klubit, ka analizuar me seriozitet situatën dhe ashtu siç ishte paralajmëruar ka marrë masa disiplinore.

Nga ana jonë janë pezulluar për një afat dy javor, trajneri Julian Ahmataj si dhe zv. trajneri Neritan Novi. Gjithashtu për një afat dy javor janë pezulluar edhe futbollistët Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira Silverio.

Klubi i futbollit Luftëtari, nuk mund të tolerojë kurrsesi paraqitje si ajo përballe Tiranës në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, ku skuadra u shthur totalisht duke pësuar gola dhe një humbje të pa përtypshme.

Luftëtari bën me dije se për trajnerët apo lojtarët e pezulluar nuk do të ketë masa financiare, duke i paguar ata rregullisht si gjithë pjesa tjetër e skuadrës.

Në këto dy javë, skuadra në procesin stërvitor, apo ndeshjet e kampionatit do të drejtohet nga trajneri i portierëve Jovan Mihajloviç.

Arritja e objektivit mbijetesë, edhe pse ende jo matematikisht bën që skuadra të ketë mundësinë e rotacionit dhe ne po shohim me përparësi aktivizimin e lojtarëve të cilëve nuk u është dhënë mundësia të tregojnë vlerat e tyre.

Luftëtari ka nisur tashme punën për formatimin e skuadrës për sezonin e ri dhe përforcimin e saj me elemente cilësore. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë sërish një Luftëtar dinjitoz, i cili do t’i japë tonin Superligës Shqiptare dhe do të bëjë krenar një qytet të tërë. Ju Faleminderit”, shkruhej në komunikatën e Luftëtarit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/