Lajme të mira nga Gjermania por edhe mungesa, Gjoka humbet një tjetër titullar

Kukësi luan këtë fundjavë ndaj Skënderbeut një tjetër takim por këtë radhë të vlefshëm për Kategorinë Superiore. Në prag të këtij takimi, trajnerin Gjoka sërish nuk e kanë lënë dëmtimet të qetë duke qenë se sulmuesi Vasil Shkurtaj nuk do të jetë i gatshëm. Sulmuesi shtatlartë ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit dhe ka ndjerë shqetësime në shtyllën kurrizore.

Kështu, Shkurtaj nuk do të jetë i gatshëm ndërkohë që lajmet e mira vijnë nga Gjermania, atje ku Valdet Rama ka kryer ekzaminimet mjekësore. Burime zyrtare të klubit verilindor, tregojnë për ‘VipSport’ se të gjitha analizat dhe kontrollet që Rama ka kryer në Gjermani kanë dalë mirë dhe pritet që mesfushori të jetë i gatshëm në fundjavë për Gjokën.

Sakaq, një tjetër test do të kryejë Ylli Shameti i cili ndaj Luftëtarit u rikthye sërish në fushë në kampionat, por mbetet në dyshim për ndeshjen me Skënderbeun. Dzaria ka lënë pas problemet që ka pasur  ndërkohë që pjesa tjetër e grupit pritet që të jetë e plotë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/