Kushedi çfarë do të mendojë Salah! Liverpuli kërkon Serxhio Ramos

E imagjinoni dot Mohamed Salah dhe Serxhio Ramos në një skuadër? Duket e pamundur por në Spanjë mendojnë se mund të bëhet realitet. Sipas të përditshmes “AS” edhe Jurgen Klop interesohet për mbrojtësin i cili është gati të largohet nga Real Madrid pas përplasjeve që ka pasur me presidentin Florentino Perez gjatë vitit të fundit.

Futbollisti 33-vjeçar kërkon një kontratë të fundit në elitën e futbollit  europian dhe me sa duket është i bindur se ajo nuk do të jetë te madrilenët ndaj kërkon një sistemim të ri. Në skenë kanë dalë emrat e shumë skuadrave, por gazeta spanjolle është e bindur se një nga opsionet më të mundshme është ajo e bashkimit të tij me Virxhil Van Dajk te Liverpuli për të formuar një nga prapavijat më të forta në qarkullim.

Gjithsesi, për të çuar Ramos te Liverpuli do të duhet shumë punë për të bërë, sidomos sa i përket bindjes së tifozëve të cilët e shohin atë si armik që nga finalja e Ligës së Kampioneve të vitit 2018. Aty Ramos akuzohet se dëmtoi me qëllim si Salah, ashtu edhe portierin Karius duke u përplasur me këtë të fundit e duke bërë që të pësonte tronditje e dhuruar një paraqitje tejet të dobët në duelin që u mbyll me suksesin e Realit. Si për ironi të fatit, Ramos do të zëvendësonte Lovren, kroatin me të cilin ka pasur një debat të gjatë në distancë gjatë muajve të fundit. /vipsport.al/