Kukësi shpjegon “divorcin” me Hallaçin: I dhamë ekipin B, u largua për një ekip moshash

Largimi i Rrahman Hallaçit nga stafi teknik i Kukësit ishte një nga të papriturat e kësaj jave në kampin e verilindorëve. Ish-kapiteni u largua me një vendim të papritur të klubit, i cili sot ka argumentuar se në fakt ka qenë vetë Hallaçit që ka kërkuar një aventurë tjetër

Në një njoftim zyrtar, klubi bëri të ditur se Hallaçi kishte kërkuar që të drejtonte një ekip moshash ndërsa u ishte besuar drejtimi i Kukësit B. Por ai më pas kishte ndryshuar mendje dhe kishte preferuar që para skuadrës së vendlindjes, të drejtonte ekipi U19 të Internacional.

“Zëvendës trajneri i skuadrës së Futboll Klub Kukësit, Rrahman Hallaçi nuk do të jetë më pjesë e stafit teknik. Pas një takimi mes ish-Kapitenit dhe Presidentit Safet Gjici, Hallaçi ka kërkuar të drejtojë një skuadër futbolli të moshave.

Numri një i Klubit, i ka ofruar ekipin e dytë, pra FK Kukësin B, pasi presidenti Gjici synon, vitin tjetër, ngjitjen e kësaj skuadre në Kategorinë e Parë dhe kjo do ishte një hap i mirë për karrierën e tij të re si trajner.

Pasi kishin rënë fillimisht dakord, për çdo gjë me Presidentin, për një fillim me Kukësin B, Rrahman Hallaçi ka ndryshuar mendjen dhe ka vendosur të largohet nga klubi. Ai u shfaq në një tjetër ekip, duke trajnuar skuadrën e Internacional U-19.

Futboll Klub Kukësi falënderon zëvendës trajnerin Rrahman Hallaçi, për kontributin e dhënë si futbollist dhe si numri dy i pankinës së skuadrës sonë dhe i dëshiron shumë suksese në karrierë!”, shkruhej në njoftimin e Kukësit që zyrtarizonte “divorcin” me të. /vipsport.al/