Kriza mes Zidan dhe Bejl, tekniku: Edhe nëse do të kisha një zëvendësim të 4, sërish nuk e aktivizoja

Real Madrid i dha fund në ditën e sotme një prej sezoneve më të vështirë në historinë e klubit. ‘Los Blancos’ dolën duarbosh nga ky sezon, ndërsa regjistruan një numër rekord disfatash. Për të mos përmendur më pas që në këtë sezon ndërruan tre trajnerë. Fillimisht, sezoni nisi me Lopetegin, më pas ishte radha e Solarit dhe tashmë në fund rikthimi në klub i Zinedin Zidan.

Francezi shikohet si njeriu i duhur nga drejtuesit e galaktikëve, teksa klubi duhet të synojë nga sezoni i ri titujt më të rëndësishëm. Ndërkaq, Zidan e ka projektuar ekipin për sezonin e ri ndërsa në planet e tij nuk bën pjesë Garet Bejl. Tekniku e ka treguar haptazi këtë fakt, ndërsa edhe në ndeshjen e sotme e cila ishte e fundit, zidan nuk i rezervoi asnjë minutë Bejlit për t’u përshëndetur me tifozerinë e ‘Santiago Bernabeut’.

Dhe trajneri pas ndeshjes tregoi se nuk ishte penduar për këtë teksa tha se nëse do të kishte 4 zëvendësime në dispozicion sërish nuk do ta kishte aktivizuar uellsianin. “Bejl ka fituar shumë këtu por ne luajmë për të tashmen dhe të ardhmen. Nuk e harroj të kaluarën por më e rëndësishme është e tashmja. Nëse do të kisha zëvendësimin e katërt sërish nuk do ta aktivizoja”, tha Zidan, duke qartësuar se sulmuesi nuk bën pjesë në planet e tij.

/EgiCabeli-VipSport.al/