Kosova merr një lajm të mirë nga UEFA, shtohet numri i skuadrave që luajnë në Europë

Në vitet e fundit, futbolli në Kosovë ka pësuar një rritje të ndjeshme si në kampionatin Ipko-Superliga, ashtu edhe me ekipin Përfaqësues që është shumë pranë kualifikimit për në Europianin e vitit të ardhshëm pasi luan në “Play Off” të Ligës së Kombeve.

Sakaq, një lajm të mirë ka marrë ditën e sotme Federata e Futbollit e Kosovës nga UEFA duke qenë se në Kosovë ndodhet për vizitë shefi Divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-s, Tierri Favre. Ai ka zbuluar se UEFA ka vendosur që Kosova të ketë 3 skuadra vitin tjetër në Europë dhe ky do të jetë viti i fundit që shkohet me 2. Këtë e ka bërë të ditur Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Budapesti na ka sjell gjithmonë lajme të mira. Kemi bërë kërkesa të ndryshme. Klubet si Drita dhe Prishtina e kanë përfaqësuar shumë mirë Kosovën në edicionin e kaluar andaj është vendosur që zyrtarisht tri ekipe të marrin pjesë në Evropë në edicionin e ardhshëm. Kjo do të miratohet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s në Baku”, tha Ademi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/