Konfirmohet dënimi i UEFA-s për racistët, Kosova luan ndeshjen e radhës pa tifozë

Ndeshja e radhës e përfaqësueses së Kosovës në kualifikueset e Euro 2020 ndaj Malit të Zi do të zhvillohet me dyer të mbyllura pa praninë e tifozëve.  Ky është vendimi që ka dalë nga Komisioni i Apelit të UEFA-s, i cili ka mbajtur në fuqi vendimin e dhënë nga Disiplina disa javë më parë, duke iu referuar shfaqjeve raciste të tifozëve të Malit të Zi në ndeshjen ndaj Anglisë.

Tifozët e Malit të Zi kishin shoqëruar me ulërima dhe thirrje raciste lojtarët me ngjyrë të Anglisë në sfidën që britanikët fituan me shifrat 5-1. Por ndonëse pamjet e turpshme ishin të dukshme për të gjithë dhe bënë xhiron e botës, Federata e Malit të Zi u mundua që të anulonte këtë vendim duke e apeluar, pasi mendonte se ishte padrejtësi që të luante ndeshjen e radhës pa mbështetësit e saj.

Sfida e radhës është pikërisht kjo e 7 qershorit ndaj përfaqësueses së Kosovës, një ndeshje e cila tashmë do të zhvillohet në një ambient të qetë në Podgoricë, pasi tribunat do të jenë bosh. Kjo ishte një ndeshje e cilësuar e rrezikshmërisë së lartë nga pala malazeze dhe priteshin trazira nga tifozët të cilat falë këtij vendimi të dalë nga UEFA do të evitohen. /vipsport.al/