Kombëtarja vazhdon me përgatitjet në Durrës, të dielën përfundojnë “huazimet” e Rejas

Kombëtarja shqiptare është e grumbulluar në Durrës në prag të dy takimeve që Shqipëria luan për kualifikueset e Europianit ndaj Islandës dhe Moldavisë. Reja ka grumbulluar fillimisht futbollistët të cilët kanë përfunduar kampionatet e tyre respektive dhe mes tyre janë edhe shumë futbollistë të Shpresave.

Edi Reja ka preferuar që të shohë edhe elementë për të ardhmen duke i bërë në njëfarë mënyre një nder trajnerit Alban Bushi pasi po ia mban skuadrën në stërvitje. Por, eksperienca e ‘të vegjëlve’ me Kombëtaren shqiptare A, nuk do të zgjasë edhe shumë ditë të tjera duke qenë se futbollistët do të largohen për të nisur një grumbullim të dytë.

Të dielën kur pjesa tjetër e skuadrës do të ketë një ditë pushimi, skuadra e Shpresave do të grumbullohet po te Tropikali por këtë radhë nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi që edhe do të shpallë listën për ndeshjen zyrtare ndaj Turqisë dhe dy miqësoreve ndaj Uellsit. Nga e hëna, me Shqipërinë A do të bashkohen futbollistët e listës, ndërkohë që të “huazuarit” e Shpresave do të largohen. /Erjon Allaraj-VipSport.al/