Kievo përcjell kapitenin, Pelisier largohet mes lotëve

Minuta e 71 e ndeshjes mes Kievos e Sampdorias dhe vjen momenti kur Serxhio Pelisier, kapiteni dhe sulmuesi historik i Kievos të përshëndesë për herë të fundit tifozerinë e tij, me të cilët ka ndarë momentet më të vështira por edhe ato më të lumturat sa herë shënonte gol.

Pelisier, nuk mundi t’i ndalte lotët, teksa përshëndetet me të gjithë, por një përqafim të ngrohtë e kishte ruajtur për Kualjarelën. 40-vjeçari edhe pse nuk arriti të luante për ekipet më të mëdha të Italisë, u kthye në një simbol të Kievos, një figurë që aktivizohet me veronezët prej vitit 2002.

Pengu i vetëm, ndoshta ishte që nuk shënoi në ndeshjen e sotme golin e fundit para tifozerisë së tij, megjithatë numri 31 i Kievos në karrierën e tij ia ka dalë të shënojë 134 gola me fanellën e veronezëve. Pas përshëndetjes në fushë, më pas erdhi edhe xhiro rreth stadiumit që thërriste emrin e tij, me publikun që e nderoi dhe përcolli në mënyrën e merituar legjendën e klubit.

/EgiCabeli-VipSport.al/