Kërkohet nga klubi francez, por Muriqi mendon vetëm për gjigandin turk

Vedat Muriqi është duke zhvilluar një sezon fantastik me skuadrën e Rizesporit në kampionatin turk. Sulmuesi ka shënuar 15 gola në këtë sezon duke udhëhequr të tijtë në fazën ofensive. E gjithë kjo paraqitje ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, të cilat janë të interesuara për shërbimet e futbollistit të përfaqësueses së Kosovës.

Para pak ditësh, menaxheri i Muriqit zbuloi se ishte shfaqur interesim konkret nga klubi i Tuluzës në Ligën e Parë franceze. Ndërsa prej kohësh është bërë i ditur edhe interesimi i gjigandëve turk, Fenerbahçes. Pikërisht, në lidhje me interesimin e këtyre të fundit është shprehur edhe Muriqi, i cili nënvizon se në Turqi luan vetëm për Fenerbahçen.

Në këtë formë, Muriqi nuk ka komentuar interesimin e Tuluzës në Francë, teksa ka theksuar se sa i përket kampionatit turk dëshira e tij është të përfaqësojë Fenerbahçen. Për momentin, sulmuesi është përshtatur me futbollin turk dhe nuk kërkon të ndërrojë ambient duke qenë se edhe oferta vjen nga një klub me shumë tradita si Fenerbahçe.