Kastrioti përgatitet për finalet e mbetura, me “përforcime” para fundit

Kur kanë mbetur edhe katër javë nga mbyllja e Kategorisë Superiore edhe për këtë sezon, Kastrioti e ndjen veten të rrezikuar për të rënë një Kategori më poshtë duke qenë se renditet në vendin e fundit, megjithatë ende nuk ka përfunduar asgjë. Ky kampionat, ka treguar se mund të ndodhë gjithçka dhe krutanët duket se po përgatiten seriozisht për ‘finalet’ e mbetura.

Në prag të takimit ndaj Flamurtarit këtë javë në Fushë Krujë, Kastrioti ka marrë një lajm të mirë. Ditën e sotme, në stërvitje ka dalë mbrojtësi shtatlartë Dajan Shehi i cili mbeti i dëmtuar pak javë më parë në një ndeshje ndaj Teutës. Mbrojtësi i cili theu krahun në atë takim, është rikthyer së fundmi në stërvitje.

Fillimisht, Shehi do të stërvitet individualisht për të arritur formën deh për të shmangur ndonjë dëmtim tjetër në krah, ndërkohë që duket se do të jetë i gatshëm për Kastriotin në dy ndeshjet e fundit të kampionatit. Kastrioti, këtë javë ka takim delikat ndaj Flamurtarit në shtëpi, ndërkohë që javët e fundit luan ndaj Tiranës, Teutës dhe Kukësit, ku vetëm ndaj durrsakëve luan në shtëpi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/