Kallaku: Duhet të thyenim një tabu ndaj Partizanit, në Krujë shkojmë për fitore

Sherif Kallaku arriti të konvertonte në gol një penallti në ndeshjen ndaj Partizanit, duke vulosur në këtë mënyrë fitoren e Teutës me rezultatin 2-0. Mesfushori i Shpresave ka qenë këtë sezon një protagonist në skuadrën bregdetare ndërkohë që ka arritur të ndihmojë me gola të shënuar dhe asiste.

Në një prononcim për “Supersport”, Kallaku u shpreh se skuadra e tij kishte hyrë në fushë vetëm për pikë të plota pavarësisht se Partizani luante me ekip ku mbizotëronin të rinjtë. Sakaq, ai ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Kastriotit në Fushë Krujë.

“Ishte fitore e rëndësishme pasi kishim fituar edhe ndaj Skënderbeut dhe u bënë 2 radhazi. Kemi kaluar ngërçin që kishim dhe jemi afër objektivit por kemi një ndeshje të vështirë në Krujë ku do të jetë ndeshje e luftuar dhe do të luhet për fitore nga të dyja skuadrat.

Ndaj Partizanit hymë për të marrë 3 pikët edhe pse ka mbyllur hesapet e veta por nuk pamë se kush luan dhe kush jo. Shohim për Europën dhe përderisa matematika na e lejon, do të luftojmë deri në fund. Mendoj se kam bërë paraqitje pozitive dhe e kam me fat Partizanin por duke parë se na ka mundur dy herë, duhet që të thyenim edhe këtë tabu”, tha Kallaku. /VipSport.al/