Kalendari i Superiores / Në Tiranë e Vlorë luhet sezoni, nuk ka më të diela futbolli

Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar të shtunën si ditën kur do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e javës së 34-t të Kategorisë Superiore, e cila afron me verdiktet e fundit të këtij edicioni në elitën e futbollit shqiptar.  Në fakt do të jenë dy të shtuna radhazi ato në të cilat do të luhen ndeshjet e Superiores, para mbylljes të mërkurën më 29 maj.

Por shumë gjëra mund të mësohen që në ndeshjet e kësaj jave, që luhen të shtunën në orën 16:30. Dy sfida do të jenë më vendimtaret në këtë javë, ajo në Vlorë dhe ajo në kryeqytet.

Në Vlorë luhet fati i vendit të katërt që mund të çojë në Europë, pasi përballen Flamurtari me Laçin të cilat për momentin ndahen me një pikë në renditje, me kurbinasit që kanë ende shanse për vendin e tretë. Kush fiton këtë sfidë pritet të jetë rivali i Teutës deri në fund për vendin në podium ose të paktën mund të shpresojë deri me finalen e Kupës për të siguruar Europën nëse Kukësi bën të tijin trofeun.

Ndërkohë, ndeshja që mund t’i vërë vulën garës për mbijetesë është ai i “Selman Stërmasit” mes Tiranës dhe Kastriotit, dueli direkt që do të tregojë se cila prej këtyre dy skuadrave do të zbresë një kategori më poshtë. Krutanët kanë një prej skuadrave më në formë në vitin 2019 dhe do të mundohen me çdo kusht të kalojnë bardheblutë për të mos e parë veten thuajse jashtë që tani. /vipsport.al/

Ndeshjet
E shtunë, më 18.05.2019, ora 16:30
Kukësi-Skënderbeu
Teuta-Partizani
Tirana-Kastrioti
Flamurtari-Laçi