Kalendari i mbijetesës / Kastrioti ka nevojë për ndihmë me Tiranën e Luftëtarin

Kur mbeten edhe katër javë deri në mbylljen e Kategorisë Superiore, asgjë nuk ka përfunduar sa i përket mbijetesës, pasi Kastrioti vazhdon të ketë në distancë relativisht të afërt dy skuadrat që ka më lart në renditjen e Superiores, Tiranën dhe Luftëtarin.

Por tashmë krutanët jo vetëm duhet që të shpresojnë te suksesi në ndeshjet e tyre, por edhe që rivalët direkt të lënë pikë në takimet e radhës. Luftëtari ka në favor kalendarin me sfidë në shtëpi përmbyllëse ndaj Partizanit i cili në teori deri atëherë duket të ketë futur në kasafortë titullin, ndërsa 3 pikë i ka të sigurta me Kamzën.

Gjithçka duket se do të vendoset në duelin direkt mes Tiranës dhe Kastriotit pas dy javëve në “Selman Stërmasi”, sfidë ku nëse krutanët nuk marrin tri pikët, mbijetesa është thuajse e pamundur për ta.

Si Luftëtari, ashtu edhe Tirana tashmë bëjnë llogaritë edhe me kuotën maksimale që mund të arrijë Kastrioti në këto javë, e cila është ulur në 47 pikë dhe zyrtarisht ka shpëtuar nga rënia edhe të gjithë skuadrat e tjera që janë më lart në renditje si pasojë edhe e pikëve të sigurta që kanë me Kamzën. /vipsport.al/