Juventus e përcjellë me disfatë Alegrin, Sampdoria mposht në shtëpi bardhezinjtë

Juventusi është mposhtur në ndeshjen e fundit të këtij sezoni të Serisë A. Kampionët e Italisë nuk mundën ta mbyllnin në mënyrën më të mirë kampionatin teksa ishte edhe ndeshja e fundit nën drejtimin e trajnerit, Masimiliano Alegri.

Sa i përket ndeshjes, Juventusi ishte në këtë sfidë me disa mungesa ku më e rëndësishmja ishte ajo e Ronaldos, i cili ishte lënë pushim pasi do të grumbullohet me Kombëtaren. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura teksa skuadrat nuk arritën të shfaqnin rrezikshmëri në portat respektive. Ndërkohë, në fraksionin e dytë të lojës Sampdoria tregoi më shumë dëshirë për ta mbyllur me sukses kampionatin përballë publikut të saj.

Në fakt, golat erdhën në fundin e lojës kur në minutën e 84, sulmuesi Defrel kaloi të tijtë në avantazh. Ndërsa për të vulosur triumfin shërbeu goli i sulmuesit tjetër, Kaprari, i cili dyfishoi shifrat në minutën e parë shtesë të pjesë së dytë. Në këtë mënyrë, bardhezinjtë e mbyllin me humbje kampionatin, ndërsa dorianët morën një trepikësh luksi pasi nuk kishin objektiva për të arritur.

/EgiCabeli-VipSport.al/