Jo vetëm Godin, Inter hedh sytë nga një tjetër futbollist i Atletikos

Interi ka arritur të sigurojë shërbimet e mbrojtësit Diego Godin i cili ka zyrtarizuar largimin e tij nga Atletiko dhe në verë do të bashkohet me zikaltërit. Klubi madrilen, duket se këtë merkato do të jetë ‘tregu’ i shumë klubeve dhe përveç Godinit, Interi synon që të rrëmbejë një tjetër futbollist.

Bëhet fjalë për 26-vjeçarin Thomas Partei i cili është një nga më të rëndësishmit në skuadrën “Colchoneros”. Mesfushori ganez është kthyer në një dëshirë për drejtorin sportiv Piero Ausilio dhe e sheh si një futbollist që mund të bëjë mirë me fanellën zikaltër. Në lidhje me këtë interesim ka folur vetë menaxheri i futbollistit por ka refuzuar që të ketë kontakte.

“Interi është një klub i madh por nuk ka pasur kontakte. Ai ka një klauzolë lirimi që arrin në 50 milionë euro por duke parë se çfarë futbollisti është, mund të thuhet se ka klauzolë të ulët. Ne presim fundin e sezonit dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë”, tha menaxheri i futbollistit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/