Ish-presidenti i Barcelonës këshillon: Grizman nuk është blerje e dobishme, nuk e duan as tifozët

Antuan Grizman nuk do të jetë më pjesë e Atletiko Madridit për sezonin e ardhshëm dhe këtë e ka konfirmuar vetë klubi madrilen nëpërmjet një komunikate për shtyp, duke mos bërë të ditur destinacionin e ardhshëm të futbollistit francez. Mediat spanjolle janë të bindura se Grizman do të luajë me Barcelonë dhe kalimi i tij do të bëhet gjatë verës.

Megjithatë, ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka këshilluar klubin blaugrana që të mendohet edhe njëherë para se të blejë Grizmanin pasi nuk vlen aq sa i është vënë çmimi. Laporta është i bindur se as tifozët nuk e duan Grizmanin dhe se me aq para, mund të blihen të rinj të cilët mund të bëjnë më shumë punë.

“Mendoj se shumë tifozë nuk e duan Grizmanin dhe çmimi për të është i ekzagjeruar pasi këtu ka disa të rinj të cilët janë më premtues dhe mund të bëjnë të njëjtën gjë që bën francezi por me çmim më të ulët. Sigurisht që nëse arrin unë do ta mbështes siç mbështes të gjithë futbollistët e tjerë të Barcelonës por nuk mendoj se është një blerje e dobishme”, tha Laporta. /Erjon Allaraj-VipSport.al/