Ironizon Telushi: ‘Jo gjunjët, jo biçikleta’, falënderojmë Kukësin për motivimin

Bruno Telushi ishte padyshim një nga futbollistët më të rëndësishëm në organikën e Partizanit, për të mbërritur te titulli kampion pas 26-viteve. Mesfushori vlonjat në shumë raste ka nxjerrë nga vështirësitë skuadrën, teksa me golat e tij i ka dhuruar pikë të rëndësishme për objektivin. Në mbrëmjen e djeshme, Telushi ishte i ftuar në emisionin ‘Kampionët’ në Vizion Plus teksa tha se Kukësi me deklaratat gjatë sezonit i ka motivuar edhe më shumë ndërsa shtoi se Tirana u fry shumë.

Rivalët e titulli: “Në fillim të sezonit Flamurtari ishte një ekip shumë i mirë, por filluan problemet financiare. Pas disa javësh rivali kryesor ishte Kukësi. Ata na kanë motivuar, i falënderoj me deklaratat që kanë bërë: ‘Jo gjunjtë, jo biçikleta’. Ndonjëherë kur të mungon karikimi, këto deklarata të karikojnë”.

Marrëdhënia e Gegës me lojtarët: “Mbaj mend kur ishin në fazë përgatitore në Ohër, ai nuk filloi menjëherë ta na bënte stërvitjen, por organizoi disa mbledhje tek e tek. Pyeti çdo lojtar për vështirësitë që kishte pasur në sezonin e kaluar, unë i tregova për problemet që hasa me fizikun, pata shumë dëmtime. Ai diti si të fliste me lojtarët, na kuptoi çfarë karakteresh kishim. Me disa sillej sikur e kishte shok, me disa të tjerë sikur i kishte fëmijë”.

Tirana dhe derbi: “Kaq shumë kohë sa ka Tirana pa fituar, shtohet presioni pasi kërkon medoemos fitoren. Dihet që presioni i tepërt të bën keq në ekip. Unë mendoj se Tirana gabimin e ka bërë që në fillim. U frynë shumë, me foto etj. . E kam provuar vetë te Flamurtari në 2015-ën. Ekip me emra shumë, por 0. Edhe Partizanin në sezoni e shkuar. Futbolli i sotëm duhet të kesh një grup shumë të fortë që të arrish te suksesi. Vetëm Mesi dhe Ronaldo janë të aftë të marrin ekipet përdore”.

Pa presion për titullin: “Titulli kampion nuk ishte objektiv. Kjo ka bërë dhe mirë për grupi, pasi nuk ishte ai presioni: ‘O kampion o s’ka’. Pas javës së 10-të grupi filloi ta kuptonte se titulli ishte i mundshëm.

Banderola nga tifozët e Tiranës: “Ne e kemi treguar në fushë që kemi marrë çdo gjë me meritë. Olsi Rama ka qenë një ndër personat që gjithmonë më ka udhëzuar të jem i qetë me arbitrat në çdo rast. Mbaj mend gjatë derbit, tifozët e Tiranës kishin një shprehje për Erion Braçen dhe tifozët në krahun e Partizanit filluan të acarohen dhe shajnë, Olsi ishte i pari që u ngrit dhe filloi të qetësonte tifozët”, tha Telushi.