Intervista/ Korrado Sakone: Isha i bindur për titullin, Partizani ka hedhur bazat e një cikli të ri

Ka pak Itali në titullin e Partizanit. Korrado Sakone, përgatitësi atletik i të kuqve, është italiani i vetëm që ka qëndruar në ekip dhe që ka dhënë kontributin e tij në suksesin e shumëdëshiruar. Ndihet shumë mirë në Tiranë dhe dëshiron të vazhdojë të bëjë pjesë në familjen e Partizanit, ku vlerëson projektin dhe seriozitetin e të gjithëve.

Në një intervistë për “Vipsport.al”, Sakone, i cili më parë ka punuar edhe me trajnerë si Rafa Benitez apo Mauricio Sarri, tregon emocionet e titullit të zyrtarizuar pas derbit me Tiranën. Ai thekson se ishte i bindur te suksesi dhe pohon se tashmë janë hedhur bazat e një cikli të ri, por duhet punë dhe rritje konstante për të ecur përpara. Ja intervista e plotë e italianit të stafit të Partizanit:

 

Mister Sakone, si e përjetuat fitoren në derbi, ku Partizani zyrtarizoi titullin kampion?

Ishte një gëzim i madh dhe i merituar. Më pëlqen të gëzoj jo para të gjithëve, por kur jam i qetë. Jam një njëri që bën një punë, ku çdo gjë duhet të jetë e llogaritur mirë. Futbolli është i bukur, sepse varet nga momenti dhe një aksion të ndryshon gjithçka, që nga rezultati e çdo gjë tjetër. Pas kësaj është një punë e madhe që bëhet, ka një kujdes të veçantë për gjithçka, një parashikim për dëmtimet, bëhen planifikime për t’i dhënë apo jo pushim ekipit e kështu me radhë. Ka një llogari që bën për çdo futbollist, pastaj e transmeton në skuadër. Për çdo gjë ka një program.

E kam përjetuar në një mënyrë ndryshe titullin, sepse në fakt isha i bindur se Partizani do të bënte mirë këtë sezon. Në stërvitje dhe në vlerësimin e punës, treguesit më dukesh bindës. Shikoja që puna ishte ajo e e duhura, djemtë bënin atë që ne kërkonim dhe për këtë isha i qetë. Ishte një gëzim i pabesueshëm, sepse është një titull që vjen pas 26 vitesh. Nuk janë pak, është një çerek shekulli, është diçka që ndryshon. Personalisht, isha i qetë dhe ndoshta nuk më patë të festoja në mes të fushës. Isha i ndërgjegjshëm se këtë sezon do të arrinim diçka të rëndësishme.

Kamera ju ka kapur duke kënduar në dhomat e zhveshjes himnin e Partizanit. Keni mësuar shqip?

(Qesh) Disa fjalë shqip duhet t’i mësoj, duhet të komunikoj me lojtarët. Jam një tip që kam qejf të ketë gëzim në ekip, edhe në stërvitje duhet të jemi të gëzuar, duhet të ketë alegri, sepse në të kundërt edhe procesi stërvitor bëhet më i vështirë.

Puna e stafit teknik është vlerësuar maksimalisht nga të gjithë, që nga presidenti, mediet e kështu me radhë…

Kemi bërë një punë shumë të mirë, sinqerisht. Dikush ka punuar për programin stërvitor, dikush për të menaxhuar drejt grupin e futbollistëve. Unë dhe ndihmëstrajneri Mehmeti jemi marrë me stërvitjen, trajneri Gega ka ditur të administrojë mjaft mirë grupin e futbollistëve dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse ai ka bërë që të gjithë të ndihen një familje.

Dhe në fakt ka qenë e vështirë, pasi në grup ka edhe shumë lojtarë të rinj, apo jo?

Po, është një grup të rinjsh dhe që e njoh mjaft mirë. Të rinjtë kanë pasur një rritje shumë të rëndësishme. Nuk dua të përmend emra, por dy lojtarë të rinj janë rritur shumë, janë rritur Bardhi dhe Mala në krahasim me parë. Është rritur edhe Kote, një tjetër djalë i ri, që do të ketë të ardhme. I dimë shumë mirë vlerat e lojtarëve me përvojë si Albani, Trashi, Atanda, Telushi. Dihet kontributi i tyre dhe nuk ka nevojë t’i komplimentojmë. Komplimentet më të mëdha i meritojnë të rinjtë.

Festa për Partizanin ishte e dyfishtë, pasi e siguroi titullin në derbi?

Derbi është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ta fitosh kampionatin në derbi, është e jashtëzakonshme dhe e bukur, por derbi, në fund të fundit, është një ndeshje si të tjerat dhe unë preferoj ta humb derbin, por të fitoj kampionatin. Nuk e përjetoj derbin sikur të jetë ndeshja e vetme e vitit. Tirana luajti mirë në derbi, na vuri në vështirësi. Në pjesën e parë luajti mirë dhe duhet ta komplimentojmë. Nuk kënaqem me fatkeqësinë e të tjerëve. Kur fiton ndaj një skuadre të një qyteti, është bukur, gjithmonë duke i dhënë atë që i takon kundërshtarit. Ata luftojnë për qëndrimin në Superiore dhe luftuan deri në fund. Kanë ndeshjen direkte me rivalin e tyre, që vendos kush bie.

A mund të themi se Partizani tashmë ka hapur një cikël të ri?

Sigurisht, kemi hedhur bazat për të filluar një cikël të ri. Por duhet të vazhdojmë të rritemi. Nëse e shohim këtë rezultat si një objektiv final, është e gabuar. Është një objektiv fillestar. Duhet të vazhdojmë të punojmë, sepse kemi hedhur bazat. Kemi ndryshuar mendësinë. Jemi klubi që kemi dhënë më shumë pushim për ekipin, duke e administruar grupin për atë që ishte. Është e kotë të bësh tre orë stërvitje, mund të bësh një orë e 20 minuta me intensitet maksimal dhe më pas i jep kohë rikuperimi sportistit. Kemi sjellë të reja në stërvitje. Po ndryshojmë mënyrën e mendimit dhe po mundohemi të jemi një skuadër europiane. Futbolli shqiptar nuk është i prapambetur, por është pak i mbyllur. Dëshiroj shumë që futbolli shqiptar të rritet në nivel, duhet të ketë një rritje konstante. Cikli mund të nisë, por kjo është baza. Duhet gjithmonë të shikosh për të ardhmen, çfarë është më e mirë për ekipin. Nëse Korrado sot bëri një punë të mirë, por nesër nuk më duhet, e përshëndes dhe marr dikë tjetër për të ecur përpara. Duhet të shohim pikat e dobëta dhe t’i rregullojmë ato. Ajo që mbetet nuk është një individ, por klubi, që duhet të rritet vazhdimisht.

Ju personalisht, dëshironi të vazhdoni të punoni me Partizanin?

Kam edhe një vit tjetër kontratë me Partizanin. E kam thënë gjithmonë se jam mirë në Tiranë, kam edhe vajzën që studion këtu dhe kam shumë arsye për të qëndruar. Punoj me njerëz seriozë, me njerëz të jashtëzakonshëm, që nga presidenti e të gjithë me radhë. Jam mirë në Shqipëri. E vetmja gjë, që mund të më largojë, është një ofertë e rëndësishme nga një klub italian ose jashtë. Nëse është një ofertë e njëjtë, zgjedh Partizanin, patjetër. Vitin e kaluar mund të shkoja në një vend, ku mund të fitoja më shumë para, por nuk mund të ikja pa fituar një titull. Ishte një pakt që kisha bërë. Kur erdha këtu, në Itali më thoshin: ku shkon? Nuk do të arrish asgjë atje? U tregova kokëfortë dhe koha më dha të drejtë. E kompletova detyrën time. Kur të kontakton Milani, për shembull, nuk i thua dot jo, kur të kontakton Krotone, nuk kam pse iki. Por duhet të ketë gjithmonë akord mes palëve dhe për momentin ndihem mirë këtu. / Vipsport.al