Inter ‘josh’ Junajtid me ofertën e fundit për Lukakun, 30 milionë plus një nga yjet e ekipit

Teksa ka mbetur edhe një ndeshje në Serie A, Interi është pranë kualifikimit në Champions League. Në këtë formë drejtuesit zikaltër kanë nisur të mendojnë për përforcimet në skuadër. Tashmë, dihet situata mes sulmuesit Mauro Ikardi dhe klubit.

Edhe pse argjentinasi së fundmi është shprehur se kërkon të qëndrojë në Milano, sërish gjasat që ai të largohet janë të mëdha, pasi marrëdhënia me tifozerinë dhe klubin ka pësuar një krisje të thellë. Dhe zëvendësuesin, Interi ka kohë që e ka projektuar teksa profili më i përshtatshëm duket Romelu Lukaku. Sulmuesi i Mançester Junajtid, nuk ka kaluar një periudhë pozitive këtë sezon në ‘Old Trafford’ teksa edhe numri i golave nuk ka qenë në pritshmëritë e ‘Djajve të Kuq’, të cilët janë të gatshëm ta lejojnë ta largohet.

Belgu ka qenë gjithnjë nën shënjestrën e Interit, teksa zikaltërit kanë gati një ofertë tunduese për anglezët. Interi do të afrojë 30 milionë euro plus kartonin  kroatit Ivan Perisiç, i cili gjithnjë ka pasur vëmendjen e Junajtid, ndërsa sulmuesi anësor do të ishte i lumtur të largohej nga Italia.

/EgiCabeli-VipSport.al/