Ia kalojnë ofertës që i bëri Roma, Panuçin e kërkojnë 5 klube

Kristian Panuçi nuk ka hequr dorë nga ëndrra e tij për t’u bërë një trajner i njohur, edhe pse dështoi keq me eksperimentin që bëri FSHF duke i lënë në dorë përfaqësuesen kuqezi. Ish-tekniku i kuqezinjve tregoi pakgjë në pankinën e kombëtares shqiptare, por çuditërisht vazhdon të ketë admirues përtej Adriatikut ku disa skuadra janë të gatshme t’i besojnë atij projektin për vitin e ardhshëm.

Mendohej se Panuçi do të përfundonte te Roma, e cila i kishte ofruar atij dhe ndihmësit Kaseti mundësinë që të drejtonin ekipin U23 që do të krijohet vitin e ardhshëm duke ndjekur shembullin  e Juventusit. Por bëhet fjalë për një skuadër që do të laujë në kategoritë e ulëta italiane, ndaj Panuçi ka kërkuar një propozim i cili do ta bënte më të dukshëm për opinionin e përgjithshëm.

Ofertat nuk mungojnë, pasi në mediat italiane insistojnë se janë 5 skuadra të cilat mund t’i besojnë drejtimin trajnerit në verë. Dy nga këto skuadra, Benevento e Verona, janë emra të cilët presin të mësojnë fatin e tyre në play-off për ngjitjen në Serinë A. Nëse dështojnë, të dy skuadrat do të ndërrojnë trajnerë dhe Panuçi do të kthehet në një prej emrave të preferuar të tyre. Askoli, Venecia e Salernitana janë tre skuadra të tjera të interesuara për shërbimet e teknikut, i cili me sa duket në verë do të kthehet në një nga emrat më të kërkuar të Serisë B. Ai do të jetë ndoshta shansi i fundit për të bindur se dëshira e tij për t’u bërë trajner i njohur nuk do të mbetet vetëm një ëndërr. /vipsport.al/