I duhet goleadë ndaj ekipit me të cilin bëri mrekullinë e parë, Ranieri: Për Champions do e provojmë

Klaudio Ranierit i duhet një tjetër mrekulli për të kthyer Romën në Ligën e Kampioneve. Nuk është vetëm në dorën e kryeqytetasve, por ata do të provojnë të fitojnë në javën e fundit për të kaluar Inter e Milan dhe për të siguruar një vend të katërt që do t’u jepte pjesëmarrjen në turneun më të lakmuar.

Sigurisht te Roma janë pak më të qetë duke e ditur se në pankinë kanë njeriun e mrekullisë së Leister, por ky iu fundit ka bërë të tilla edhe në Itali disa vite më parë dhe do të kërkojë atë të radhës pikërisht ndaj ekipit që i dha statusin e “magjistarit”, Parmës. Në vitin 2007 ai mori drejtimin e kësaj skuadre që dukej e rënë nga Seria A dhe i siguroi mbijetesën me një pozicion të 13-të. Në fundjavë, do të duhet të mundë pikërisht këtë skuadër dhe me golavarazh të thellë.

“Kemi ende një mundësi të vogël për t’ia dalë. Duhen bërë 5 gola dhe të shihen rezultatet e të tjerëve, por ne do ta provojmë. Unë jam kështu, si karakter nuk dorëzohem kurrë, do ta provojmë deri në fund.

Nëse nuk ia dalim, do t’u bëjmë komplimente të tjerëve. Por kjo skuadër ka luftuar për të shkuar në Champions. Puna është bërë, por jo gjithmonë shkon ashtu siç shpreson. Fatkeqësisht gjërat rrodhën në këtë mënyrë, por përkatësia dhe vetëmohimi në këtë skuadër kanë qenë gjithmonë të pranishme”, tha Ranieri duke folur për ndeshjen e fundit të kampionatit të skuadrës së tij.

Sido që të shkojnë gjërat, Ranieri do të largohet nga stoli i Romës pas përfundimit të kampionatit, për të marrë një rol drejtuesi në klubin verdhekuq. /vipsport.al/