Hysaj kërkon të ndalë Interin në luftën për Champions, në “San Paolo” një tifoz special

Interi luan të dielën shansin ndoshta të fundit për një vend në Ligën e Kampionëve duke udhëtuar në transfertë aty ku përballë do të ketë Napolin e Elseid Hysajt. Napolitanët e kanë blinduar vendin e dytë dhe e kanë një ndeshje që shërben për statistikë por në krahun tjetër zikaltërit ndjejnë aromën e Championsit.

Me shumë gjasa, ndaj Interit pritet që nga minuta e parë ta nisë mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj i cili duhet të tregojë veten në dy javët e mbetura për të synuar transferimin në një klub më të madh. Përveç Ançelotit që tashmë e njeh mirë Hysajn, mbrojtësi shkodran do të ketë edhe një tjetër detyrë.

Në “San Paolo” me shumë gjasa do të jetë i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja i cili ka nisur të mendojë për futbollistët që do të grumbullojë për dy ndeshjet kualifikuese për në Europian, atë përballë Islandës dhe Moldavisë. Pak javë më parë, Reja ishte në Greqi ku ndoqi nga afër Mihajn dhe Kaçen. /Erjon Allaraj-VipSport.al/