Hidi: Te Teuta domethënëse është jetëgjatësia e trajnerit. Ndaj Tiranës ekipet e rretheve vinin për të mos pësuar

Portieri i Teutës, Isli Hidi, e cilëson sezonin e tij si pozitiv, ashtu edhe të klubit i cili është shumë pranë Europës. Në “Rubrika Sportive” ai foli për eksperiencën te Teuta si dhe për risitë e fundit në kampionatit shqiptar, duke u ndalur edhe te kriza e Tiranës.

“Normalisht që nuk kemi siguruar ende Europën, matematikisht jo. Kemi edhe dy ndeshje, na pret javë e vështirë se përballë kemi Kastrioti që do të luajë ndeshjen e jetës besoj. Shanset i kemi, janë edhe dy javë.

Partizani pa motivim? Nuk është vetëm Partizanin që të ketë bërë këtë lloj loje. Kur kam qenë me Tiranën pas titullit i jepet minuta të rinjve, ka vështirësi tjetër. Me të rinjtë është më e vështirë të luash sesa kur luan pa motiv me formacionin bazë.

Veprimi në fillim të ndeshjes me Partizanin? Kishim menduar për një pritje, është respekt, asgjë më shumë. Ishin përshëndetje dhe urime. Edhe ata në pankinë ishin titullarët që e meritonin.

Problemi ynë ishte janari. Aty erdhën lojtarë dhe lëvizën ekuilibra, se u duhej kohë të përshtateshin. Humbëm ndeshje, pësuam disa barazime. Besoj ka kaluar tashmë, u kthye Teuta dhe besoj ta mbyllim kështu.

Viti im ka qenë pozitiv, shkon paralel me arritjet e ekipit. Teuta ka ambient shumë të qetë, e tregon edhe jetëgjatësia e trajnerit që ka filluar sezonin dhe po e mbyll, është domethënie për kampionatin shqiptar. Sepse po shohim që ekipet pasi sigurojnë mbijetesën ka ndryshime, te ne është qetësi. Presidenca ka qenë maksimalisht pranë nesh dhe kjo reflekton në renditjen e ekipit, deri tani është një sezon pozitiv.

Problemet e Tiranës? Ftohja me tifozët ndikon përtej problematikës me luhatjet. Mendoj se nuk ka një bosht. Ajo grinta që shohim te Kastrioti, Tirana e para shumë vitesh nuk kishte të krahasuar. Unë kam qenë aty po ekipet e rretheve vinin të mos pësonin 3-4 gola. Në vitet e fundit kjo nuk është më. Nuk e mendoja të shkonte deri në këtë gjendje, por besoj se po i kthehet makthi i Kategorisë së Parë. Është tip ngërçi, unë si ish i uroj të mos ndodhë”, tha Hidi. /vipsport.al/