Hasi në garë për çmimin “Trajneri i vitit”, por klubi nuk do t’i rinovojë kontratën

Viti i parë i Besnik Hasit në Arabinë Saudite ka qenë mëse pozitiv dhe të gjithë e shohin teknikun shqiptar si një prej më të mirëve në këtë kampionat. Kjo kuptohet edhe nga fakti se trajneri i cili drejton Al Raed në kampionatin saudit, është emëruar mes kandidatëve për çmimin “Trajneri i vitit” në mbyllje të këtij sezoni futbollistik.

Skuadra e Al Raed mendohej se do të ishte mes ekipeve në luftën për mbijetesë, por pas një fillimi të vështirë, Hasi arriti që ta mbante larg zonës së ftohtë, duke e drejtuar në vendin e 8 në këtë sezon të tij të parë në drejtim të skuadrës pjesë e të cilës është edhe Ferhan Hasani.

Kjo duket se ka tërhequr vëmendjen në Arabinë Saudite, ku tashmë emri i Hasit është mes atyre që kanë lënë shenjë në këtë sezon. Ndaj ai është emëruar përkrah Zoran Mamiç (Al-Nasr), Horge Zhesus (Al-Hilal), Pedro Emanuel (Al-Taoun) dhe Marius Sumudika (Al-Shabab) për këtë çmim prestigjioz.

Megjithatë, sipas mediave saudite, Al Raed nuk do t’i rinovojë kontratën trajnerit shqiptar, të cilit gjithsesi nuk do t;i mungojnë ofertat nga kampionatet e rajonit pas kësaj paraqitje të parë shumë pozitive. /vipsport.al/