Guardiola triumfon sërish ndaj Klop, spanjolli shpallet trajneri i sezonit në Premier League

Pep Guardiola është shpallur si trajneri më i mirë për sezonin e sapo përfunduar në Premier League. Në çmimin e akorduar nga Shoqata e Trajnerëve të Ligës, spanjolli ia doli të linte pas krahëve rivalin e tij më të madh për këtë sezon Jurgen Klop. Tekniku gjerman, sëbashku me Liverpulin ishin deri javën e fundit në garë për të fituar kampionatin, mirëpo Guardiola dhe Siti nuk bënë hapa fals deri në fund.

Në këtë formë ish-trajneri i Barcelonës ka korrur një tjetër sukses në futbollin anglez, ndërsa për të është viti i dytë radhazi që fiton të njëjtin çmim. Ndërkohë ky ishte titulli i 26 në karrierën e 48-vjeçarit, i cili ka lënë pas Hoze Murinjon, portugezi ka koleksionuar deri më tani 25 trofe. Guardiola u shfaq shumë i lumtur për çmimin ndërsa tha se trofeun duhet ta ndaj me lojtarët.

“Është një nder të fitoj këtë çmim. Dua që ta ndaj me të gjithë lojtarët e mi, sepse ata janë artistët e gjithçkaje. Gjithashtu edhe stafi im sepse luftuam kundër shumë menaxherëve të tjerë, veçanërisht ndaj Jurgen Klop, i cili ishte një rival i pabesueshëm deri në fund”, tha Guardiola.

/EgiCabeli-VipSport.al/