Grezda tregon ndryshimin mes Rejas dhe Panuçit: I rëndësishëm për ne, të kënaqur me 4 pikë

Eros Grezda ka pak më shumë se 2 vite si pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit me të cilën debutoi në mars 2017 dhe në një periudhë kaq të shkurtër po bëhet gati të vihet nën drejtimin e trajnerit të tretë italian në kombëtaren kuqezi. Panuçi do të mbetet i veçantë për të pasi e afirmoi si titullar mes kuqezinjve, por Grezda pranon se me Edi Rejan, gjërat janë plotësisht ndryshe nga paraardhësi i tij i cili u largua pa lënë imazh pozitiv.

“Ka entuziazëm në grup edhe pse nuk është grumbulluar i gjithë ekipi. Por këto ditë ia kemi kaluar shumë mirë. Ndryshimi mes Rejës dhe Panuçit? Normalisht shihet ndryshimi se janë persona totalisht të ndryshëm, është eksperienca që bën të vetën. Panuçi sapo kishte filluar karrierën kurse Reja është me shumë eksperiencë dhe njeh shumë e ka raport të mirë me lojtarët që është shumë e rëndësishme për ne”, theksoi futbollisti për “SuperSport” nga grumbullimi i kuqezinjve.

Humbja me Turqinë ka komplikuar gjërat dhe Grezda është i ndërgjegjshëm që duhen rezultate pozitive në dy sfidat e radhës, edhe pse argumenton se jo domosdoshmërish duhen dy fitore në këto duele për të vazhduar që të ëndërrohet për kualifikimin në Europian.

“Me Islandën është ndeshje e rëndësishme se është një rival direkt për kualifikimin dhe duhet që të paktën të mos humbim e të kemi rezultat. Ndërsa me Moldavinë duhen tre pikë. Ne do të shkojmë për 6 pikë në dy ndeshje, pasi nëse duam të shkojmë në Europian duhet të fitojmë ndeshjet por edhe 4 pikë janë shumë mirë për ne”, tha ai.

Sa i përket aspektit personal, sulmuesi e ka cilësuar këtë një sezon të pafat, sepse te Rejnxhërs nuk i është dhënë mundësia të tregojë vlerat e tij edhe si pasojë e dëmtimeve. Kësisoj, ai lë gjithçka të hapur për të ardhmen, pasi kërkon një ekip ku të luajë rregullisht.

“Nuk kam pasur fare fat këtë vitin e fundit me lëndimet dhe kur kapa formën e mirë ne dhjetor pësova dëmtim ët rëndë në kavilje që më la jashtë. Skuadra po bënte mirë, po luanin mirë dhe është e vështirë që të futesh në ritëm me ta. Për momentin jam lojtar i Rejnxhërs së kam edhe tre vite e gjysmë kontratë. Por objektivi im është që të luaj në vazhdimësi ndaj nuk e di ende çfarë do të bëj në të ardhmen”, tha Grezda. /vipsport.al/