Greqia dorëzohet para Shqipërisë: Na e morën talentin, po e vëzhgojnë shumë klube të huaja

Mes Shqipërisë dhe Greqisë në kohët e fundit po bëhet një luftë për sa i përket talenteve dhe i fundit që vendosi t’i përgjigjej negativisht ftesës së Shqipërisë, ishte Fiorin Durmishaj që përzgjodhi kombëtaren greke. U duk se Durmishaj do të pasohej nga shumë të tjerë, por në fakt nuk ka ndodhur ashtu. Talenti 18-vjeçar Emiliano Bullari nuk ka menduar të ndjekë rrugën e tradhtarit Durmishaj por të respektojë fanellën kuqezi.

Ai ishte thirrur pak kohë më parë nga ekipi i Shpresave ndërkohë që është thirrur sërish nga Bushi për ndeshjen ndaj Turqisë dhe dy miqësoreve ndaj Uellsit. Mediat greke i kanë bërë jehonë faktit se Bullari ka vendosur që të luajë për Shqipërinë, për vetë faktin se aktivizohet me Olimpiakosin dhe këta të fundit pretendohej ta shtynin drejt grekëve.

Për të luajtur me kuqezinjtë, ka insistuar edhe menaxheri i tij ndërkohë që Bullari po spikat në Greqi. “Sportime.gr” raporton se në stadium ka pasur disa skautë nga ekipe të ndryshme europiane që kanë hedhur sytë nga talenti shqiptar për të parë nëse mund të jetë një element i rëndësishëm për të ardhmen apo jo. /Erjon Allaraj-VipSport.al/